Shkarkohen në Durrës 102 kontejnerë me mbetjet e rrezikshme të “Kurum”-it

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 07.11.2024, 18:47

Anija "Moliva", me 102 kontejnerë, pritet të mbërrijë nesër në mëngjes në Portin e Durrësit. Anija do të ankorohen rreth orës 8:00, ku do të nisë shkarkimi i kontejnerëve dhe transportimi i tyre në një zonë të sigurt jashtë hapësirave portuale. Ky vendim u mor pas një mbledhjeje të zhvilluar mes autoriteteve portuale dhe policisë.

Sipas burimeve nga Porti dhe Kapiteneria, 102 kontejnerët, që përmbajnë mbetje të rrezikshme, të cilat janë prodhuar nga fabrika në Shqipëri e Kurum-it, do të transportohen në Porto Romano, ku do të mbahen nën mbikëqyrje 24 orë, siç kërkoi edhe Prokuroria e Durrësit. Pas vendosjes së kontejnerëve në këtë zonë të sigurt, do të merren kampionë nga secili kontejner dhe do të dërgohen në një laborator të specializuar për analiza.

Anija, e cila ka sjellë mbetje të refuzuara nga autoritetet tajlandeze, mbërriti në Durrës më 28 tetor dhe ka qëndruar për më shumë se 10 ditë në radën e portit. Kapiteneria e Portit ka konfirmuar informacionin për vendimin e marrë, por po pret shkresën zyrtare nga Autoriteti Portual për të mundësuar hyrjen e anijes në port.

Kompania turke “Kurum International”, që operon në Elbasan, është përfshirë në një skandal eksporti të dyshuar të mbetjeve të rrezikshme, të cilat u nisën për në Tajlandë më 4 korrik. Mbetjet, të cilat u deklaruan në doganë si ‘oksid hekuri’, një material që nuk konsiderohet i rrezikshëm, u transportuan nga firma “Sokolaj SHPK” dhe u ngarkuan në portin e Durrësit. Megjithatë, autoritetet ndërkombëtare zbuluan se ngarkesat ishin pluhur i furrave të çelikut, një lëndë toksike dhe e rrezikshme për mjedisin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit