Një tragjedi ka tronditur qytetin e Ulqinit, pas vdekjes së 35-vjeçares shqiptare, Drita Tafa, e cila humbi jetën pas lindjes.
Kjo ngjarje ka shkaktuar një shqetësim të madh në mesin e qytetarëve dhe autoriteteve lokale për shkak se Drita la pas tre fëmijë, përfshirë një foshnjë të sapolindur dhe dy vajza të tjera.
Sipas dëshmive, vdekja e Drita Tafës dyshohet të ketë ardhur si pasojë e neglizhencës dhe gabimeve nga ana e personelit mjekësor në Spitalin e Tivarit, i cili, sipas familjarëve dhe qytetarëve, nuk ka ofruar kujdesin e duhur për lehonën pas lindjes.
Qindra qytetarë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, janë mbledhur për të protestuar sot në qendrën e qytetit duke kërkuar drejtësi për Dritën. Ata kërkojnë që kjo ngjarje tragjike të trajtohet me seriozitet dhe transparencë, dhe që të merren masa për të siguruar që gabimet dhe pakujdesia e personelit mjekësor të mos i kushtojnë më jetën nënave dhe fëmijëve të pafajshëm. Qytetarët kërkojnë një sistem më të sigurt shëndetësor, më transparent dhe më përgjegjës. Ata kërkojnë që autoritetet të marrin masa urgjente për të siguruar që gabimet e tilla të mos përsëriten dhe që ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi të dalin para drejtësisë.
Ndërkohë që trishtues është fakti se raste të tilla tragjike ndodhin edhe në vendin tonë, por me një "mik" mjekët shpëtojnë nga përgjegjësia dhe askush s'mbush rrugët për të protestuar.