Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një banesë të pabanuar në zonën e Don Boskos. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50, në rrugën "Robert Naci", ku shpërthimi ka pasur origjinë nga oborri i një banese në ndërtim, në pronësi të shtetasit A. B. Shpërthimi ka qenë i ngjashëm me lëndët plasëse ose ato piroteknike.
Policia është njoftuar nga qytetarët dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Sipas informacioneve të para, dyshohet se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Xhamat e katit të tretë të një banese tjetër private janë thyer nga forca e shpërthimit.
Grupi hetimor ka mbërritur në vend dhe ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që po merren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të shpërthimit.
"Më datë 06.11.2024, rreth orës 19:50, në rrugën "Robert Naci", në oborrin e një banese në ndërtim në pronësi të shtetasit A. B. është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", shkruhet në njoftimin e policisë.