Veliaj gati për SPAK, i jep 1 milion euro abuzuesit Mehdi Lala për tregun Çam

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.11.2024, 21:55

Bashkia e Tiranës ka shpallur si fitues të tenderit për rikualifikimin e tregut Çam kompaninë MELA, në pronësi të biznesmenit Mehdi Lala, me një kontratë që kap vlerën e 88,755,838.46 lekëve të reja pa TVSH ose rreth 1 milion euro me TVSH të përfshirë.

Ky tender është zhvilluar sipas një proçedure të hapur, me numër reference REF-09518-06-14-2024, ndërkohë që fondi limit i përcaktuar ishte 121,092,298.77 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 1.4 milion euro me TVSH.

Gjatë këtij procesi tenderimi kanë marrë pjesë disa operatorë biznesi por bie në sy se gjashtë prej tyre, kanë ofruar vlera më të ulëta se kompania fituese. Megjithatë, oferta e tyre nuk është marrë parasysh nga Bashkia e Tiranës, duke lënë fitues MELA-n, pavarësisht diferencës së çmimit. Njëri nga këta operatorë ka ofruar një vlerë zero për të marrë pjesë, një praktikë kjo e njohur si tipike kur fituesi është i paracaktuar që në fillim të proçedurës në marrëveshje me autoritetin kontraktues.

Për më tepër, Mehdi Lala është akuzuar në media për cilësinë e ulët të punimeve të realizuara nga kompanitë e tij në të kaluarën. Një nga shembujt e përmendur është rruga Lalëz-Bizë në njësinë Ishëm, e cila ka pësuar dëmtime të konsiderueshme vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve.

Ky fakt ka ngritur dyshime të forta në opinionin publik lidhur me efektivitetin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara nga Lala, ndërsa Bashkia e Tiranës i ka besuar atij rikualifikimin e tregut Çam.

Kjo situatë ka shtuar kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili po përballet me akuza të shumta për përfshirje në skema të dyshimta tenderimi dhe për lidhje me biznese që kanë pasur probleme të mëparshme me cilësinë e punimeve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit