“Po u marrim lekë fëmijëve”, pensionistët protestojnë sërish

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.11.2024, 18:38

Pensionistët protestuan përsëri para Kryeministrisë, duke kërkuar rritje të pensioneve.

Kjo është protesta e tretë, ku moshat e treta marrin pjesë për rritjen e pensioneve. Një ndër ta ishte edhe Kimete Lengo, e cila ka punuar 42 vite si juriste. Ajo shprehu zhgënjimin e saj për pensionin e ulët që merr, duke thënë se ky është një trajtim i padenjë për punën e saj të gjatë.

“Kam punuar 42 vite dhe sot me vjen për të qarë sesi jetojmë me atë lloj pensioni. Me profesion jam juriste. Marr 300 mijë, nuk e quaj pension të madh sepse ky është haku jonë. Para të tjerëve dhe nuk flas se kam njerëz që kanë pensione se kanë 150 mijë lekë dhe pse kam të drejte, por me vjen keq”, u shpreh pensionistja Kimete Lengo.

Shumë pensionistë, si Kimetja, janë të varur nga ndihma e fëmijëve për nevojat e përditshme, gjë që për të është një tronditje. Ajo tregon se i është dashur të pranojë ndihmën e vajzës për shpenzimet e një operacioni, pasi pensioni nuk mbulon as gjërat më bazike.

“Sot ne na thonë fëmijët, do lek ti? Ke lek ti mami, unë nuk e pranoj dot dhe sikur të mos kem them kam…Fëmijët na ndihmojmë, mu desh që pas kaq vitesh të bëja një operacion, ku do ti gjeja lekët. Më erdhi vajza dhe u detyrova ti pranoja, nuk kisha rrugë tjetër”, tha pensionistja.

Të tjerë pensionistë shprehin se nuk kanë mbështetje dhe janë të detyruar të kursejnë çdo qindarkë, duke përmendur se nuk munden as të blejnë fruta përditë.

“Protesta e parë, dua që të na rriten pensionet. Unë marr 186 mijë lekë, unë se di dot kafen në qendër, duhet të dal në periferi, këtu është 80 andej 50 lekë. Nuk më ndihmon njeri, vetëm. Me kursime, sa për të ngrënë se nuk bëj shumë shpenzime, me marr fruta përditë nuk marr dot.

Edhe shumë nuk ka, duhet të ketë më shumë. Ndoshta nga frika, ai që e ndjen xhepin e vet duhet të dali këtu. 180 mijë lekë, bashkë me rritjen. Shkova për të marrë pensionin dhe 1 ore nuk i kaloi njëri 140 mijë lekë që merr. Si ja dalim, ja duke i lypur fëmijëve, nuk i dilet ndryshe. Të përditshmet, 1 kg domate shkon 120 lekë, i marrim kokrra-kokrra, një domate një trangull”, u shpreh një tjetër.

Protestuesit kërkojnë rritje të minimumit jetik, pensioneve sociale dhe përfshirjen e më shumë ilaçeve të rimbursueshme. Ata theksojnë se sfidat e përditshme janë të mëdha dhe premtojnë të vazhdojnë protestat deri sa qeveria të adresojë kërkesat e tyre, përfshirë edhe miratimin e statusit të minatorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit