Liderët e koalicionit VLEN kanë uruar Donal Trumpin pasi fitoi zgjedhjet në SHBA. Ata presin që së shpejti të nisin bashkëpunimin me administratën e re në Shtëpinë e Bardhë. Kryetari i ASH-së Arben Taravari, thotë se Trump do të jetë një president që do të mbrojë dinjitetin e amerikanëve dhe do ta mbaj Amerikën një aleat të Paqe.
“Uroj z.Donald Trump për rezultatin e arritur në zgjedhjet presidenciale! Jam tejet optimist se z.Trump do të jetë një president që do të mbrojë dinjitetin e amerikanëve dhe do ta mbaj Amerikën një aleat të Paqes dhe të së Mirës”, tha Taravari.
Ndërkohë, Izet Mexhiti u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar, për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara
“Urime të sinqerta presidentit Donald Trump për rizgjedhjen e tij! ShBA-ja mbetet aleati më i madh i vendit tonë. Si zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, shpreh gatishmërinë tonë të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, do të avancojmë përparimin ekonomik dhe sigurinë për vendin tonë”, shkroi Mexhiti.
Bilall Kasami ka shkruar se fitorja e Trump tregon se sa janë të rëndësishme dhe të shëndetshme janë ndryshimet.
“Forca e demokracisë Amerikane u dëshmua edhe një herë. Fitorja e Presidentit Donald Trump tregon sesa të rëndësishme dhe sa të shëndetshme janë ndryshimet. Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët, SHBA-të i konsiderojnë aleat të fuqishëm që kontribuojnë në paqë, stabilitet rajonal dhe në forcimin e demokracisë. z. Trump i urojmë suksese si President i shtetit më të fuqishëm në botë”, shkroi Kasmi.
Ndërsa Alternativa uroi Trumpin që të ketë mandat të mbushur me vendime të mençura dhe lidership të fortë, ndërkohë që shprehen bindjet e tyre se, SHBA-ja do të vazhdojë të mbetet simbol i lirisë dhe shembull i parimeve demokratike
“I urojmë sinqerisht suksese presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump, duke shpresuar që ai të ketë një mandat të mbushur me vendime të mençura dhe lidership të fortë, i cili do të ruajë rolin e SHBA-së si lider dhe garant i vlerave themelore të demokracisë botërore. Jemi të bindur se SHBA-ja do të vazhdojë të mbetet simbol i lirisë dhe shembull i parimeve demokratike që frymëzojnë shumë kombe anembanë botës”, thotë Alternativa.