Problemet e shëndetësisë në vend kanë qenë kryefjala e shumë diskutimeve publike së fundmi. Ata që janë përgjegjës, në të shumtën e rasteve kanë mohuar çdo akuzë të ngritur ndaj tyre, nëpër studio televizive, edicione lajmesh e prononcime publike.
Megjithatë, diçka që nuk mund të mohohet as relativizohet, as minimizohet është realiteti i prekshëm në terren: rastet e qytetarëve, të cilët në këpucët e pacientit, përballen çdo ditë me shëndetësinë që propaganda e “servir” sikur është në ditët e saj më të mira.
Radhët e gjata të pritjes, mungesa e shtretërve në urgjenca, neglizhenca e personelit mjekësor, mjekë që argëtohen përpara kompjuterit, ndërkohë që pragu i derës i ndan nga pacienti që mund t’i rrezikohet jeta, janë realiteti përballë të cilit nuk mund të qëndrojmë symbyllur.
Rasti i fundit që ka ardhur në redaksinë tonë, na paraqet pikërisht këtë realitet. Bëhet fjalë për ambulancën numër 10 dhe doktorin Ardian Ballaxhi, ku qytetarët qëndrojnë në pritje të pafundme, sepse mjekët kanë vendosur të shërbejnë me “kuota”. Me vendimin e tyre, ata nuk u shërbejnë më shumë se 20 pacientëve në ditë. Kush ka fatin e keq të rastisë i 21-ti, duket se nuk mund të marrë kujdes shëndetësor.
Sigurisht, diçka e tillë është një proces zinxhir, pasi qytetarëve u lind edhr vështirësia e kërkimit të lejes nga puna, për aq ditë sa t’u duhet të presin në dyert e spitaleve për të marrë shërbim.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje jam nje qytetare qe orvatem dyerve te ambulanes nr 10 dhe doktorri Ardian Ballaxhi nuk na mbarojn pun nuk marim me shum se 20 veta ju lutem beni dicka. Shif car behet rrijm ne radh. Jemi ne pun smarim dot leje si mas qefit hajde heret thot infermjerja qe punon me doktorin skemi car te bejm.