Njerëzit në vendet e Mesdheut, përfshirë Shqipërinë, zakonisht jetojnë më gjatë se në shumë vende të tjera. Megjithatë, gratë shqiptare kanë një jetëgjatësi më të ulët se mesatarja europiane në vitin 2022.
Sipas Eurostat, jetëgjatësia në lindje për gratë në BE arriti 83.3 vjet, që është 5.4 vjet më e gjatë se ajo për burrat, e cila ishte 77.9 vjet. Në Shqipëri, gratë kishin një jetëgjatësi mesatare prej 80.9 vjet në të njëjtin vit, 2.4 vjet më pak se mesatarja e BE-së, sipas të dhënave nga INSTAT.
Kjo diferencë u shfaq, pasi jetëgjatësia për gratë në BE u rrit me 0.4 vjet nga viti 2021, ndërsa në Shqipëri, u rrit me 2.2 vjet gjatë periudhës 2021-2022, si pasojë e zvogëlimit të ndikimit të mortalitetit që shkaktoi pandemia e COVID-19.
Në vitin 2022, jetëgjatësia për gratë në BE pati një hendek gjinor prej 5.4 vjet ndaj burrave, ndërsa në Shqipëri ky hendek ishte më i vogël, me 3.6 vjet.
Më së larti për gratë, jetëgjatësia u regjistrua në rajonin e Comunidad de Madrid në Spanjë, me 87.7 vjet, ndërsa rajonet e Navarra dhe Castilla y León pasuan me 86.9 dhe 86.7 vjet, respektivisht. Në anën tjetër, rajoni me jetëgjatësinë më të ulët për gratë ishte Mayotte në Francë, me 74.4 vjet, i ndjekur nga disa rajone bullgare.
Sa i përket jetës së burrave, Shqipëria ka një diferencë prej 0.6 vjet nga BE, me jetgjatësi për burrat në Shqipëri prej 77.3 vjet krahasuar me 77.9 vjet në Bashkimin Europian.
Rajoni i Comunidad de Madrid, për burrat, gjithashtu ka nivelin më të lartë të jetëgjatësisë, me 82.4 vjet, ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali dhe Stokholmi në Suedi, të dy me 82.3 vjet.
Megjithatë, disa rajone kanë një jetëgjatësi për burrat nën 70 vjet, me Severozapaden në Bullgari që regjistroi 68.7 vjet.
Dallimet gjinore në jetëgjatësi janë më të mëdha në vendet baltike dhe disa rajone në Poloni dhe Rumani, me hendekun më të madh të regjistruar në Letoni, ku gratë jetojnë 10 vjet më shumë se burrat.
Në përfundim, vendet si Danimarka, Irlanda, Holanda dhe Suedia tregojnë diferenca shumë më të vogla në jetëgjatësi midis gjinive, ndërsa Mayotte në Francë ka një hendek të vogël, ku jetëgjatësia për gratë është vetëm 0.4 vjet më e lartë se për burrat.