“Çmenduri” në UCL/ Milan mposht Realin në transfertë, Sporting shkatërron Man.City

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.11.2024, 23:27

Një mbrëmje e çmendur do të ishte përkufizimi i 8 ndeshjeve të para të raundit të katërt në UEFA Champions League.

Kryesfida e këtij raundi midis Real Madrid – Milan u fitua nga këta të fundit me rezultatin surprizues 1-3. Thiaw, Morata dhe Reijnders i dhanë një triumf të çmuar "kuqezinjve" të drejtuar nga Paolo Fonseca të cilët zhytën më tej "galaktikët" që erdhën në këtë sfidë pas humbjes turpëruese në "Santiago Bernabeu" ndaj Barcelonës me rezultatin 0-4. Pritjet spektakolare të Mike Maignan dhe aksionet befasuese në sulm mundësuan triumfin e 7 herë fituesve të Champions kundër 15 herë fituesve të këtij trofeu.

Një tjetër humbje në shtëpi e të besuarve të Ançelotit, të cilët kanë grumbulluar vetëm 6 pikë pas 4 ndeshjes në këtë edicion të UCL. Goli i vetëm i madrilenëve u shënua nga Vinicious nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Supriza tjetër e mbrëmjes ishte "shpërfytyrimi" i Manchester City në transfertë ndaj Sporting. Skuadra portugeze arriti një fitore "ëndrrash" ndaj "qytetarëve" me rezultatin e thellë 4-1. Haaland humbi një penallti në minutën e 69-të kur sfida ishte 3-1.

Në ndeshjet e tjera, Liverpool fitoi bindshëm ndaj Leverkusen 4-0 me tripletën e Luis Diaz dhe golin e Gakpo. Po me të njëjtin rezultat PSV mposhti Gironën.

Lille – Juventus u mbyll në paqe 1-1, ku lojtari i sfidës u shpall futbollisti shqiptar i Kosovës, Edon Zhegrova.

Dortmund mposhti Sturm me një fitore minimale 1-0, ndërsa me të njëjtin rezultat Monako fitoi ndaj Bolonjës në transfertë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit