Një shtetase shqiptare dhe katër persona të tjerë janë arrestuar në Greqi, pasi akuzohen për pjesëmarrje në një grup kriminal të përfshirë në trafik armësh. Sipas mediave greke, policia ka zbuluar këtë aktivitet pas gjetjes së një arsenali të madh armësh dhe lëndësh të tjera të ndaluara gjatë kontrolleve në tre banesa.
Mes sendeve të sekuestruara ishin 25 njësi eksploziv ushtarak, 60 kg amonit, lëndë të tjera shpërthyese, armë të ndryshme përfshirë pistoleta, revolverë, automatikë, dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Gjithashtu u zbuluan pajisje mbrojtëse, pajisje për modifikimin e armëve, detektorë metalesh, drogë, bizhuteri, monedha antike dhe të çmuara, dhe një shumë e konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Autoritetet greke dyshojnë se ky grup kriminal furnizonte me armë dhe lëndë të tjera kriminelë të përfshirë në aktivitete të dhunshme, përfshirë vrasje, në Greqi. Në mesin e të arrestuarve është 25-vjeçarja Zoi Zoto, me origjinë nga Korça, e cila kishte lindur në Pire.