Një 16-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap me një bidon me benzinë, që do ta përdorte për të djegur një automjet tip "Opel".
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjeç Fushë dhe gjatë kontrollit fizik, të miturit iu gjet dhe sekuestrua një bidon plastik 0.5 litra, i mbushur me lëndë djegëse benzin.
Gjithashtu në celularin e tij policia ka gjetur një foto të mjetit tip “Opel” që do digjte dhe është në pronësi të 28-vjeçarit me iniciale E.Sh.
I mituri akuzohet për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", mbetur në tentativë, por ende nuk dihet nëse kishte ndonjë problem me 28-vjeçarin që do t’i digjte makinën, apo ishte porositur nga dikush tjetër.
Pasi vlen të thuhet se kohët e fundit të miturit po shfrytëzohen nga grupet kriminale por edhe individë problematikë, për kryerjen e veprave të ndryshme penale pasi për shkak të moshës i shpëtojnë ligjit dhe burgut.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për një të mitur 16 vjeç, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 151/22 i Kodit Penal. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë në fshatin Gjeç Fushë dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një bidon plastik 0.5 litra, i mbushur me lëndë djegëse benzinë, me të cilën dyshohet se do të digjte një automjet tip "Opel" në pronësi të shtetasit E. Sh., 28 vjeç. Gjithashtu, gjatë këqyrjes së celularit, iu gjet një foto e automjetit tip "Opel".