Ujësjellësi i Librazhdit rrit çmimet por i lë qytetarët pa faturat e printuara

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 05.11.2024, 12:38

Ujësjellësi i Librazhdit ka shpallur rritjen e çmimeve për shërbimet e ujit dhe kanalizimit, por qytetarët e Librazhdit po përballen me një situatë problematike në lidhje me faturimin. Në denoncimet për JOQ, disa qytetarë, veçanërisht në mosha të rritura dhe invalidët e punës, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e faturave të printuara për shërbimin që paguajnë.

Sipas ankesave të tyre, përfaqësuesit e ujësjellësit justifikohen duke thënë se printeri nuk punon.

“Njëherë na thonë që nuk punon printeri, njëherë thonë se nuk ka bojë, dhe na kërkojnë të shkojmë në qendër për të paguar. Lekët i marrin një me një, por transparencë nuk ka fare,” shprehet V.B, një qytetare nga Librazhdi.

Një tjetër qytetar, i cili është invalid, thekson se pavarësisht mbrojtjes sociale, i është thënë se duhet të paguajnë taksën e veçantë. “E pyeta se mbi çfarë baze është kjo taksë e përgjysmuar dhe ajo nuk më dha dokument,” thekson ai.

Një zonjë tjetër gjithashtu shprehet e shqetësuar për taksat që paguajnë, duke përmendur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit dhe taksën e apartamentit. Ajo thekson: “Nuk na japin asnjë lloj letre për të ditur se çfarë paguajmë. Ka gjithë këtë kohë që e kanë nxjerr printerin në pension.”

Situata e papërshtatshme e faturimit ka ngritur shqetësime të mëdha tek qytetarët, të cilët kërkojnë më shumë transparencë dhe shërbim të duhur në pagesat e tyre. Tani, ata presin një zgjidhje nga autoritetet lokale që të sigurojnë akses në informacionin e nevojshëm lidhur me faturat dhe shërbimet që ofrohen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit