Shtatë familje në Francë kanë paditur "TikTok"-un, duke e akuzuar për ekspozimin e fëmijëve të tyre ndaj përmbajtjeve të dëmshme që, sipas tyre, kanë kontribuar në vetëvrasjen e dy adoleshentëve.
Padia pretendon se algoritmi i "TikTok"-ut i ka ekspozuar këta të rinj ndaj videove që promovojnë vetëvrasjen, vetëlëndimin dhe çrregullimet e të ngrënit.
Avokatja e familjeve ka deklaruar se prindërit kërkojnë që "TikTok"-u të mbajë përgjegjësi penale, duke e cilësuar platformën si një kompani tregtare që u ofron një produkt të miturve dhe që duhet të mbajë përgjegjësi për efektet e dëmshme të tij.
Si shumë platforma të tjera të mediave sociale, "TikTok"-u është përballur prej kohësh me kritika për menaxhimin e përmbajtjes në aplikacionin e tij, veçanërisht për ekspozimin e përdoruesve të rinj ndaj materialeve potencialisht të rrezikshme.