Më 30 tetor 2024, një atentat mafioz në zonën e Dobraçit, Shkodër, u mori jetën Hamza Lici, Arlind Bushati, dhe çiftit të moshuar Bashkim dhe Flutura Bushati.
Autorët përdorën një makinë të tipit “Range-Rover” të vjedhur, me të cilën qarkulluan në zonën e Kirasit dhe Dobraçit, duke u prezantuar si policë për të fituar besimin e banorëve. Individët e përfshirë mbanin jelekë me mbishkrimin “Policia” dhe kryen kontrolle fizike ndaj banorëve, duke krijuar përshtypjen e një operacioni policor.
Më 30 tetor, kur Hamza Lici dhe Arlind Bushati u nisën drejt Podgoricës, autorët i ndoqën me “Range-Roverin” e maskuar si mjet policie. Ata qëlluan ndaj makinës “Benz” ku ndodheshin Lici dhe Bushati, duke lënë të vdekur dy personat dhe plagosur një të tretë. Ibrahim Lici, që besohet të ketë qenë në vendngjarje dhe plagosur, u mjekua në një klinikë private dhe më pas u largua.
Një kamera amatore e regjistroi Ibrahimin të hutuar pranë trupit të vëllait. Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se Hamza Lici u qëllua në kokë dhe zemër, ndërsa Arlind Bushati në kokë. Policia hetoi klinikat në Shkodër, por nuk gjeti prova për praninë e Ibrahimit.
Çështja pritet të merret në dorë nga SPAK, ku kreu i tij, Altin Dumani, do të zhvillojë një takim me zyrtarë të lartë të policisë për të vijuar hetimet.