Shqipëria vijon të ketë ekonominë më pak të kredituar në Ballkanin Perëndimor. TSipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në fund të vitit që lamë pas, portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 30.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në rënie nga niveli prej 32.4% i vitit 2022.
Edhe pse kreditimi është rritur në vlerë absolute gjatë viteve të fundit, kjo rritje nuk ka arritur të ndjekë ritmin e rimëkëmbjes së fortë ekonomike pas pandemisë, çka ka çuar në uljen e raportit të kredisë me PBB-në për të dytin vit radhazi në vitin 2023.
Gjatë gjithë periudhës postkomuniste, vendi ynë ka pasur një nivel të ulët të kreditimit në raport me PBB-në. Një rritje e dukshme e këtij raporti u regjistrua kryesisht gjatë viteve 2005-2011, kur sektori bankar në vend u zgjerua ndjeshëm.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri në fund të shtatorit, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 813 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 12%. Këtë vit, kreditimi në vlerë nominale ka pësuar një përshpejtim të ndjeshëm, duke arritur nivelet më të larta që prej vitit 2008.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme, ka shqetësuar Bankën e Shqipërisë, e cila vendosi këtë vit të ndërhyjë për herë të parë me një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.