Kamala Harris: “Mbështetje për Kosovën, Shqipëria promovon stabilitetin” – Letër e hapur për komunitetin Shqiptaro-Amerikan

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 04.11.2024, 10:14

Kandidatja demokrate për zgjedhjet në SHBA, Kamala Harris, i ka dërguar një letër të hapur komunitetit shqiptaro-amerikan, duke theksuar lidhjet e forta që shqiptarët kanë me SHBA-në dhe rëndësinë e mbështetjes për Kosovën.

Në letrën e saj, Harris vlerëson ndihmën amerikane për Pavarësinë e Kosovës dhe angazhimin për të vazhduar mbështetje nëse ajo do të ishte në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve.

“Shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar thellësisht në ndërtimin e kombit tonë, duke demonstruar përkushtim për familjen, komunitetin dhe lirinë. Qindra mijëra shqiptarë amerikanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, dhe forcimi i këtij komuniteti na frymëzon të gjithëve”, shkruan Harris.

Ajo thekson se shqiptarët kanë arritur suksese në fusha të ndryshme, nga punëtorët e deri te profesionistët në mjekësi dhe drejtësi, duke pasuruar shoqërinë amerikane me vlera si shpirtin sipërmarrës dhe angazhimin për arsimin.

Duke u rikthyer në historinë e lidhjes mes shqiptarëve dhe amerikanëve, Harris thekson momentin e rëndësishëm pas Luftës së Parë Botërore dhe rolin e SHBA-së në pavarësinë e Shqipërisë.

Ajo përshkruan Shqipërinë si një aleate të rëndësishme të NATO-s, duke e falënderuar për promovimin e stabilitetit në rajon dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr aleatët për mbështetje të pavarësisë së Kosovës, duke promovuar një Kosovë demokratike dhe multietnike, të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Harris.

Ajo tregon se e kupton sfidat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe angazhohet për politikat që fuqizojnë këtë komunitet, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve amerikanë në demokracinë e vendit.

“Faleminderit për kontributin tuaj në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, nënpresidentja, e cila pret mbështetje në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit