Sipas censit të vitit 2023, popullsia e Tiranës arriti në 598,176 banorë, ku vetëm 52% e tyre (rreth 310 mijë) kanë lindur në kryeqytet.
Kjo tregon një përzierje të konsiderueshme nga qarqet e tjera të Shqipërisë. Dibranët përbëjnë komunitetin më të madh pas tiranasve, me 6.5%, të ndjekur nga korçarët me 6%. Fierakët dhe beratasit zënë përkatësisht 5.1%, ndërsa kuksianët 4.6%. Lezha dhe Durrësi kontribuojnë më pak, me 1.9% dhe 2.4% respektivisht. Në vitin 2023, Tirana kishte mbi 14 mijë shtetas të huaj, që përbënin 2.4% të popullsisë.
Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e cila është një qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm, është shtuar vetëm me 40 mijë e 754 banorë nga 2011 në 2023 dhe në total janë 598,176 banorë. Kjo rritje modeste e popullsisë ka sfiduar pritshmëritë e ndërtuesve që kishin parashikuar një rritje prej 20-25 mijë banorësh në vit.
Ky tranzicion demografik ka sjellë ndryshime të thella, me një migrim të vazhdueshëm të të rinjve të arsimuar jashtë vendit, që përkeqëson situatën për tregun e pasurive të paluajtshme. Në këtë periudhë, Tirana është rritur me rreth 3,400 banorë në vit, duke e bërë sfidues zhvillimin urban dhe planifikimin e infrastrukturës në të ardhmen.