Një turmë e zemëruar e priti me sharje dhe hedhje balte Mbretin Felipe të Spanjës gjatë vizitës së tij në një nga zonat më të prekura nga përmbytjet pranë Valencias.
Mbreti dhe Mbretëresha Letizia, së bashku me Kryeministrin Pedro Sanchez, vizituan qytetin e shkatërruar Paiporta, ku zemërimi i qytetarëve për menaxhimin e krizës arriti kulmin të dielën.
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në jug dhe lindje të Spanjës ka shkuar në 217, ku shumica e viktimave janë raportuara në rajonin e Valencias. Paiporta ishte një nga zonat më të prekura, ku mbi 60 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë u prekën nga dëmet kolosale të shkaktuara nga përmbytjet.
Fotografitë nga vizita tregojnë Mbretin me njolla balte në fytyrë, ndërsa, edhe pse i mbrojtur nga truprojat, vazhdoi të flasë me banorët. Megjithatë, Kryeministri Sanchez u evakuua nga zona pasi turma u bë më agresive.
Policia ndërhyri për të larguar një grup të vogël njerëzish që brohorisnin “Jashtë!”, “Bir k...” dhe “Vrasës!” Ndërkohë që protestuesit i hidhnin baltë, disa prej truprojave përdorën çadra për t’i mbrojtur çiftin mbretëror dhe zyrtarët.
Një grua e re goditi një truprojë me një shkop të gjatë, ndërsa Mbreti Felipe këmbënguli të vazhdonte të bisedonte me qytetarët, madje një prej tyre u pa duke qarë në supin e tij. Mbreti bisedoi me disa njerëz, duke i mbështetur miqësisht dhe ndarë përqafime me ta, teksa në pallton e tij të zezë dalloheshin njollat e baltës së hedhur nga qytetarët e zemëruar.
Pas rreth një gjysmë ore tension, delegacioni u largua me makina zyrtare, të shoqëruar nga njësia e policisë me kuaj. Gjatë largimit, disa qytetarë goditën makinat zyrtare me çadra dhe shkelma.
Përveç mbi 200 viktimave, mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre nga përmbytjet e baltës dhe ujit. Dhjetëra persona mbeten ende të zhdukur në zonat e përmbytura, ndërsa rreth 3000 familje janë ende pa energji elektrike.
Kjo tragjedi është katastrofa më e rëndë e përmbytjeve në një vend europian që nga viti 1967, kur të paktën 500 persona humbën jetën në Portugali.