Një tërmet me magnitudë 5.3 është regjistruar mbrëmjen e sotme në Greqi.
Instituti i Gjeodinamikës në Athinë raportoi se epiqendra e tërmetit ishte në det, pranë gadishullit të Halkidikisë, rreth 40 kilometra në juglindje të Selanikut, qyteti i dytë më i madh në Greqi.
Tërmeti u ndje në orën 19:03 sipas orës lokale (18:03 sipas orës në Shqipëri), me një thellësi prej 15.9 kilometrash. Sipas të njëjtit institut, katër minuta më vonë u regjistrua një tërmet me magnitudë 4.2, i shoqëruar nga disa paslëkundje më të vogla.
Profesori i Gjeofizikës dhe Sizmologjisë në Universitetin e Selanikut, Costas Papazachos, deklaroi për Associated Press se në këtë zonë ndodhet një çarje e vogël me aktivitet sizmik të moderuar, dhe shanset për një tërmet të madh janë të vogla.
Një tërmet me magnitudë 3.9 u regjistrua në të njëjtën zonë të shtunën. Deri tani nuk ka raportime për dëme materiale, sipas burimeve nga policia dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat konfirmuan informacionin për mediat lokale.
Lëkundjet u ndjenë në një pjesë të madhe të veriut të Greqisë. Megjithatë, tërmete të këtyre përmasave janë të zakonshme për vendin fqinj, i cili ndodhet pranë pikës së përplasjes së pllakave tektonike afrikane dhe europiane.