Pas përmbytjeve shkatërruese në Spanjë, ndodh “mrekullia” që i preku të gjithë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.11.2024, 21:44

Përmbytjet e mëdha që goditën Spanjën të hënën, kanë shkaktuar një bilanc tragjik me të paktën 211 viktima, duke lënë pasoja të rënda mbi infrastrukturën dhe duke izoluar shumë komunitete pa ujë, ushqim apo energji elektrike. Shiu i rrëmbyeshëm përmbyti qytete të tëra, ndërsa ura u shembën dhe rrugë u mbuluan nga balta, duke shkaktuar një situatë emergjente në shumë zona, kryesisht në Valencia dhe rrethinat e saj.

Si përgjigje ndaj situatës kritike dhe pas kritikave të ashpra për vonesat në ndërhyrje, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, urdhëroi të shtunën dërgimin e 5000 ushtarëve dhe policëve shtesë në Valencia për të ndihmuar në përballimin e krizës. Ekipet speciale nënujore po punojnë pa pushim për të gjetur të mbijetuarit dhe për të ndihmuar ata që ndodhen ende të izoluar në zonat më të prekura.

Në këtë mes, një ngjarje e quajtur “mrekulli” ka prekur thellë komunitetin lokal: pas tre ditësh e bllokuar në makinën e saj brenda një nënkalimi të përmbytur në zonën e Benetússer-it, një grua u shpëtua nga ekipet e emergjencës. Tuneli, i cili lidh Benetússer-in me Alfafar-in, dy nga zonat më të dëmtuara nga stuhitë, u bë skenë e këtij shpëtimi të rrallë. Menjëherë pas nxjerrjes, gruaja u dërgua në spital për ndihmën e parë.

Pamjet e operacionit të shpëtimit, që tregojnë ekipet speciale duke kërkuar në bodrumet dhe nënkalimet e përmbytura, janë shpërndarë gjerësisht, duke prekur zemrat e njerëzve dhe duke i dhënë një grimë shprese një situate të mbushur me dhimbje e trishtim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit