Atentati me tre viktima në Shkodër, ”Range Rover”-i i autorëve u vodh në Durrës

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 02.11.2024, 16:55

Në një atentat mafioz në Shkodër, u vranë tre persona, përfshirë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe kalimtarja Flutura Basha. Ngjarja ndodhi kur një makinë në lëvizje qëlloi ndaj Licit dhe Bushatit, të cilët udhëtonin me një automjet tip Benz me targa kroate. Lici ndërroi jetë menjëherë, ndërsa Bushati u dërgua në spital, ku ndërroi jetë më vonë nga një plumb në kokë.

Përveç tyre, viktimë e kësaj ngjarjeje ishte edhe Flutura Basha, e cila po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, Bashkim Bashën. Pas përplasjes së motorit me automjetin e Licit dhe Bushatit, Basha mbeti e vrarë, ndërsa bashkëshorti i saj është në gjendje të rëndë në spital.

Në vendngjarje, policia gjeti një makinë “Range Rover” të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit. Kjo makinë rezultoi e vjedhur në Durrës dhe brenda saj u gjetën dy automatikë, që dyshohet të jenë përdorur në krim. Ndërkohë, në makinën e viktimave u gjetën tre pistoleta.

Policia ka ngritur një grup hetimor të posaçëm dhe nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të siguruar prova për këtë masakër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit