Sëmundja e zgjebes është shfaqur në Pogradec, me tre fëmijë të konviktit turk që kanë rezultuar pozitivë. Përgjegjësi i konviktit, ka konfirmuar se fëmijët janë karantinuar dhe pritet të kryhet dezinsektimi i ambienteve.
Ai ka shpjeguar për mediat se sëmundja u zbulua nga qendra shëndetësore në shkolla dhe se është marrë menjëherë masa për të dërguar fëmijët te mjeku. Ai ka theksuar se janë bërë pastrime dhe dezinfektim në ambientet e konviktit.
“Këtë vit përsëri është shfaqur kjo sëmundje dhe e kanë zbuluar qendra shëndetësore në shkolla ku ndodheshin fëmijët. Pasi kemi marrë vesh lajmin, që tek fëmijët ndodhej kjo sëmundje, i çuam në mjeku, në ambientet tona kemi bërë dezinfektimin, praktikonin, pastrimi është bërë. Po presim dezinfektimin. Shpresoj të mbyllet me kaq”.
Mjekët e drejtorisë së shëndetit publik në Pogradec po kryejnë kontrolle të imtësishme në shkollat e qytetit për të hetuar mbi 10 raste të dyshuara.
Zgjebja është një parazit i vogël që futet në lëkurë dhe transmetohet përmes kontaktit fizik të ngushtë. Autoritetet shpresojnë që situata të menaxhohet shpejt dhe të parandalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes.