Sektori i industrisë pësoi një rënie vjetore prej 8.91% në tremujorin e dytë të këtij viti, duke shënuar kështu rënien më të madhe që nga tremujori i dytë i vitit 2020, kur u vendosën kufizime për shkak të pandemisë Covid-19. Sipas të dhënave zyrtrare, ky rezultat ndikohet kryesisht nga kriza në industrinë e përpunimit, e cila shënoi një rënie vjetore prej -7.6% këtë tremujor. Kjo rënie vazhdon për të gjashtin tremujor radhazi, duke e bërë këtë një ndër krizat më të thella në historinë e tranzicionit të vendit.
Industria e përpunimit, e cila dominohet nga fabrikat e tekstilit dhe këpucëve, pësoi një rënie prej -6.1% vitin e kaluar, dyfish më më të lartë se në vitin 2020. Për vitin 2024, rënia pritet të thellohet edhe më shumë. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rënia vjetore arrin rreth -8.3%, dhe fabrikat nuk duken optimiste për përmirësim të situatës.
Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e kostove të punës, humbjet nga kursi i këmbimit dhe, mbi të gjitha, rënia e kërkesës nga tregjet e jashtme, po thellojnë humbjet mujore. Vitin e kaluar, eksportet e tekstilit kishin vlerën 126 miliardë lekë, me një rënie prej 6.5%, ndërsa në nëntëmujorin e vitit 2023 rënia është thelluar në rreth 12%.
Rënia e Euros vitet e fundit ka ulur fitimet e fabrikave, ndërsa rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në prill 2022 në 40 mijë lekë në fund të 2023 ka rritur kostot e tyre. Si pasojë, shumë klientë kanë kërkuar alternativa më të lira në vendet aziatike dhe afrikane.