Hante vetëm patatina dhe patate të skuqura, e pëson keq adoleshenti

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.10.2024, 21:22

Një adoleshent 17-vjeçar ka pësuar dëmtime të përhershme në shikim për shkak të dietës së tij të varfër.

I riu, emri i të cilit nuk është bërë publik, fillimisht u vizitua te një mjek në moshën 14-vjeçare, pasi nuk ndihej mirë dhe kishte lodhje të vazhdueshme. Pas një kure me vitamina dhe këshillash për dietën, ai pësoi një përkeqësim të shpejtë të shikimit disa vite më vonë.

Ai u diagnostikua me anemi mikrocitike, një gjendje që shkakton lodhje, dhe me mungesë të vitaminës B12. Adoleshenti mori injeksione të vitaminës B12 për lodhjen dhe u këshillua të përmirësonte dietën e tij. Megjithatë, ai më vonë filloi të përjetonte humbje të dëgjimit dhe më pas një humbje progresive të shikimit, derisa në moshën 17-vjeçare u diagnostikua me 'neuropati optike'.

Sipas Cleveland Clinic, neuropatia optike është një çrregullim nervor që mund të shkaktojë dhimbje të syve dhe humbje apo ndryshim të shikimit, si rezultat i inflamacionit që ndikon në sinjalet që kalojnë përmes nervit optik që lidh sytë me trurin.

Një nga mjekët që e trajtoi të riun në Spitalin e Syve në Bristol, Dr. Denize Atan, tha për BBC se dieta e tij ishte kryesisht me patate të skuqura dhe patatina, ndërsa konsumonte ndonjëherë feta buke të bardhë ose proshutë, por kurrë fruta ose perime.

Sipas mjekes, adoleshenti ishte shprehur se ai ndjente "neveri" ndaj ushqimeve të tjera dhe vetëm patatina dhe patatet e skuqura i pëlqenin.

Por kjo dietë i shkaktoi adoleshentit humbjen e mineraleve të rëndësishme nga kockat, ku analizat treguan se kishte nivele të ulëta të vitaminës B12, bakrit, seleniumit dhe vitaminës D, rezultate që për një djalë të moshës së tij janë “vërtet tronditëse”.

Neuropatia optike nga mungesa ushqimore është një lloj dëmtimi i shikimit që ndodh kur mungesa e ushqyesve dëmton nervin optik.

Dr. Atan shpjegon se pacienti e ka të “vështirë të lexojë, të shikojë TV apo të njohë fytyrat” dhe “nuk mund të ngasë makinën”. Megjithatë, falë ruajtjes së shikimit periferik, ai ende “mund të ecë i pavarur.”

Adoleshenti është vendosur në trajtim me suplemente dhe është referuar tek një dietolog, por ka mbetur me pika të përhershme të verbra në qendër të shikimit dhe është regjistruar zyrtarisht si i verbër. Ai gjithashtu ka marrë ndihmë për shëndetin mendor.

Dr. Atan rekomandon që prindërit të përpiqen të shtojnë ushqime të reja në dietën e fëmijëve të tyre, duke përfshirë një ose dy ushqime të reja në çdo vakt, për të ndihmuar në krijimin e një diete të larmishme dhe të balancuar, e cila është më efektive sesa suplementet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit