Një gjykatë ruse ka gjobitur Google me një shumë të jashtëzakonshme prej dy undecilion rublash (një dysh i ndjekur nga 36 zero) për kufizimin e kanaleve të mediave shtetërore ruse në YouTube.
Në terma dollarësh, kjo shumë llogaritet në 20 sekstilionë dollarë, një shifër që e tejkalon ndjeshëm vlerën e Google, që aktualisht vlerësohet në rreth 2 trilionë dollarë.
Për më tepër, kjo shumë është më e madhe se GDP globale, e cila vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në 110 trilionë dollarë.
Sipas agjencisë ruse Tass, gjoba po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka pranuar se nuk mund ta "përshkruajë dot me fjalë këtë shifër", por ka këshilluar "drejtuesit e Google të tregojnë kujdes."
Ndërkohë Google nuk ka komentuar ende publikisht mbi këtë gjobë.
Sipas mediave ruse, gjoba ndaj Google ka të bëjë me kufizimin e përmbajtjes së 17 kanaleve ruse në YouTube. Ky konflikt ka nisur në vitin 2020, por është përshkallëzuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kur shumë kompani perëndimore ndërprenë operacionet në Rusi për shkak të sanksioneve.
Pas kësaj, edhe mediat ruse u bllokuan në Evropë, duke nxitur masa hakmarrëse nga Moska. Në vitin 2022, filiali lokal i Google në Rusi shpalli falimentimin dhe kompania ndaloi ofrimin e shërbimeve tregtare në vend, si reklamat, por produktet e saj nuk janë bllokuar tërësisht.
Ky veprim është hapi më i fundit në përplasjen midis Rusisë dhe gjigantit amerikan të teknologjisë. Në maj të vitit 2021, rregullatori rus i medias, Roskomnadzor, akuzoi Google për kufizimin e aksesit në mediat ruse në YouTube, përfshirë RT dhe Sputnik, dhe për mbështetjen e "aktivitetit të paligjshëm të protestave". Më pas, në korrik të vitit 2022, Rusia gjobiti Google me 21.1 miliardë rubla për moskufizimin e përmbajtjes që konsiderohej “e ndaluar”.
Në Rusi nuk ekziston liria e shtypit dhe liria e shprehjes është kufizuar ndjeshëm, ku mediat e pavarura përballen me vështirësi të mëdha.