Gjykata në Piacenza ka lënë në burg 15-vjeçarin shqiptar me inicialet M.C.S, i cili akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij, Aurora Tila, 14 vjeçe. Ajo humbi jetën mëngjesin e 25 tetorit, pasi ra nga tarraca e katit të shtatë të një pallati në rrugën 'IV Novembre'.
Sipas Prokurorisë, 15-vjeçari e shtyu të renë nga parmakët e ballkonit, ndërsa një dëshmitar pretendon se ai e goditi në duar derisa ajo humbi ekuilibrin dhe ra nga lartësia prej 9 metrash. Shenjat në duart e Aurorës, të konfirmuara nga autopsia, përputhen me pretendimet e dëshmitarëve.
I riu është transferuar në institutin për të mitur Pratello në Bolonja, ndërsa autoritetet italiane do të analizojnë pajisjet elektronike të sekuestruara për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Varrimi i Aurorës do të mbahet më 5 nëntor në Katedralen e Piacenza, në orën 15:00.