Një qytetare që denoncoi zhurmat nga një lokal pranë banesës së saj është sulmuar fizikisht nga gjashtë persona, të cilët më pas janë përplasur edhe me policinë e Tiranës. Incidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme (30 Tetor), në rrugën “Tish Daija”, ku ndërhyrja e policisë u përball me kundërshtim të dhunshëm nga grupi i të dyshuarve.
Katër prej tyre janë arrestuar nga agjentët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin nr. 2, dhe identifikohen si E. Sh. (40 vjeç), A. K. (21 vjeç), E. P. (21 vjeç) dhe D. O. (21 vjeç), të gjithë banues në Tiranë. Ata akuzohen për “kundërshtim ndaj punonjësve të policisë së rendit publik”, “goditje për shkak të detyrës”, “kanosje për shkak të detyrës” dhe “prishje të qetësisë publike”.
Gjithashtu, dy persona të tjerë, O. S. (21 vjeç) dhe E. L. (51 vjeçe), po hetohen në gjendje të lirë për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë” dhe “prishje të qetësisë publike”.
Policia njofton se të gjashtë të dyshuarit fillimisht kundërshtuan qytetaren dhe më pas përdorën dhunë ndaj efektivëve që ndërhynë për të qetësuar situatën. Katër të arrestuarit dhe dy të tjerët i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.