Çdo fund muaji, më 31-të, pensionistët shtresa më e margjinalizuar e Shqipërisë, pas një jete të tërë pune e sakrifice për vendin, “vrapojnë” drejt Postës Shqiptare për të tërhequr pensionet e tyre – një moment që për ta shpesh shndërrohet në një sfidë të vështirë.
Pamje nga zyra postare Elbasan ku shpërndahen pensionet.
Këta qytetarë, që meritojnë një shërbim dinjitoz dhe efikas, përballen me punonjësit e nervozuar të Postës, të cilët po ashtu ndikohen nga pagat e ulëta dhe metodat tradicionale të shpërndarjes, duke i dorëzuar pensionet me dorë në një sistem që tregon mungesë modernizimi.
Gazetarët e JOQ kanë dokumentuar situatën në disa qytete si Elbasan anej nga është dhe drejtori përgjithshëm i Postës Shqiptare. Ne gjithashtu vëzhguam në Librazhd, Belsh dhe Prrenjas, ku radhët e pensionistëve që përballen me motin e ftohtë janë të gjata. Disa prej tyre, madje, kanë për dore nipërit e mbesat, duke pritur për pensionet që do t’u mundësojnë të blejnë diçka për ta.
Por, pyetja mbetet: Përse nuk investohet në Postë? Pavarësisht raporteve të vazhdueshme në media, struktura e punës në zyrat postare mbetet e papërshtatshme, me shumë nga punonjësit që janë të vendosur për arsye politike, përfshirë edhe drejtuesin e përgjithshëm, Ardit Demiri. Zyrat postare, të vjetra dhe pa prestigj, dështojnë të ofrojnë një ambient të denjë për ata që presin pensionet e tyre.
Përkundër ndarjeve të tenderave që kapin shifra mbi 100 milion lekë, investimet e duhura për modernizimin e këtij shërbimi nuk janë të dukshme. Duke përballuar pensionet e ulta dhe një shërbim skandaloz, pensionistët e Shqipërisë vazhdojnë të përjetojnë radhë të gjata dhe arrogancë nga punonjësit e arkës.
Së fundmi, media ka denoncuar gjithashtu se, ndonëse tarifa e shpërndarjes është vendosur në 100 lekë, shërbimi i shpërndarjes së pensioneve në shtëpi nuk po ofrohet, dhe faturat janë të paqarta dhe pa vlerë fiskale. Për pensionistët jashtë Tiranës, ku pensionet rurale janë nën 100 dollarë, kjo situatë bëhet edhe më problematike.
Këto qytetarë, pensionistët, që i kanë dhënë kaq shumë shoqërisë tonë, është një detyrë e domosdoshme që të adresojmë këto sfida dhe t’i ofrojmë atyre respektin dhe shërbimin që meritojnë.