Të tjera detaje janë zbardhur nga atentati që tronditi Shkodrën pasditen e sotme, ku humbën jetën tre persona.
Sipas gazetarit Merin Maçi, në drejtim të mjetit ku udhëtonin dy viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, është hapur zjarr për rreth 300 metra.
Ai tha se në zonën ku ka ndodhur ngjarja ka shumë lëvizje dhe për fat qytetarë të tjerë kanë shpëtuar nga breshëria e plumbave.
“Fatmirësisht është një zonë ku kanë shpëtuar dhe qytetarë të tjerë të prekeshin pasi autorët dyshohet se e kanë ndjekur makinën dhe për rreth 300 metra, ata kanë qëlluar në lëvizje. Për 300 metra rresht, ata kanë bërë lëvizje për tu siguruar që dy personat që ndodheshin në automjet, pavarësisht se i mbetet hetimit për të kuptuar nëse kanë qenë të dy objektiv apo njëri prej tyre prej 300 metrash autorët që dyshohet të kenë qenë tre persona, dy në rolin e qitësit dhe një si shofer, kanë qëlluar me breshëri”, tha gazetari.
Më tej ai shtoi se viktimat i janë kundërpërgjigjur autorëve, pasi në mjetin e tyre u gjetën tre armë zjarri.
Atentati i pasdites së sotme në Dobraç i mori jetën Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe Flutura Bashës. Kjo e fundit ishte viktimë e pafajshme, pasi mjeti me të cilin udhëtonte Lici dhe Bushati përplasi motorin në të cilin e ndjera po lëvizte së bashku me bashkëshortin e saj, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.