Ka ndërruar jetë në spital 32-vjeçari, Arlind Bushati, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga atentati mafioz në Shkodër që tronditi mbarë opinionin publik.
I riu i cili mori një plumb në kokë, nuk mundi dot t'u mbijetonte plagëve të marra.
Arlindi ishte djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati për kryebashkiak.
32-vjeçari ndodhej në makinë me Hamza Licin, i cili gjithashtu mbeti i vrarë, në momentin kur atetantorët hapën zjarr në drejtim të tyre.
Rreth dy javë më parë, Bushati kishte kallëzuar në polici se ishte kërcënuar nga persona të paidentifikuar në zonën e pedonales, të cilët i kishin drejtuar një send në dukje armë zjarri.
Kujtojmë këtu që në vitin 2022 një nga bizneset e familjes Bushati i është vendosur tritol.
Masakra e sotme shkaktoi edhe një viktimë të pafajshme. Flutura Basha, 56-vjeçe, ndodhej në motor me bashkëshortin e saj në momentin kur u përplas nga mjeti në të cilin udhëtonin Lici e Bushati pasi ndaj këtyre të fundit u hap zjarr. Për pasojë, gruaja humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital.