Rritja e çmimit të drurëve të zjarrit vë në vështirësi familjet në zonat malore të Shqipërisë

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 30.10.2024, 13:50

Qytetet e vogla të Shqipërisë, veçanërisht ato malore, janë të varura nga drutë e zjarrit për ngrohjen gjatë dimrave të acartë. Në shumë prej këtyre zonave malore, temperaturat e ulta dhe kushtet e ashpra bëjnë që familjet, zakonisht të mëdha në numër, të mbështeten në drutë për të ruajtur ngrohtësinë.

Megjithatë, rritja e çmimeve të drurëve ka sjellë shqetësime të mëdha mes banorëve, të cilët shpesh e kanë të vështirë të përballojnë blerjen e tyre. Një metër kub dru tani kushton deri në 70 mijë lekë të vjetra, duke u rritur nga 50 mijë lekë të vjetra një vit më parë, ndërsa disa shitës raportojnë se çmimi arrin edhe deri në 80 mijë lekë për dru të thata. Kjo situatë e bën ngrohjen me dru një luks për shumë familje.

Një banore e papunë nga Librazhdi, S.G, tregon se këtë vit nuk ka arritur të blejë drutë, pasi ndihma ekonomike që merr është e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet. Ajo thekson se ngrohja natyrale me dru është e domosdoshme për shëndetin e saj, pasi vuan nga astma bronkiale por dhe si amvisë është me ekonomike.

Banore rurale duke menduar ta zëvendësojë sobën e druve me kondicioner.

Po ashtu, një tjetër banor invalid tregon se është futur në borxh për të blerë drutë e zjarrit dhe thekson se pa dru, nuk mund të përballojë dimrin e gjatë. Situata është e vështirë për pensionistët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, të cilët ndjejnë se të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për ngrohje.

Në përgjigje të kërkesave nga banorët, autoritetet lokale kanë propozuar shpërndarjen e lëndës drusore të sekuestruar për ata në nevojë, por procedurat janë të komplikuara dhe kërkojnë kohë për t'u zgjidhur.

Përballë uljes drastike të temperaturave dhe afrimit të stinës së dimrit, situata bëhet edhe më alarmante. Banorët në zonat malore janë të shqetësuar për sasinë e pakët të druve të zjarrit dhe çmimet e larta që vështirësojnë ngrohjen.

Shitësit e drurëve gjithashtu raportojnë një rënie të kërkesës, duke u shprehur të pakënaqur për situatën e tregut. Çmimet e larta dhe mungesa e blerjeve janë bërë një shqetësim i përbashkët për të gjithë ata që varen nga ngrohja me dru, duke shtuar presionin mbi ta në momentin kur kanë më shumë nevojë.

Gazetarët investigativë të JOQ kanë zbuluar se në disa fusha në Hotolisht, Librazhd, Prrenjas dhe Cërrik, çmimet e drurëve janë rritur ndjeshëm, duke shkuar deri në 60 mijë lekë të vjetra për dru të paprerë. Së bashku me shpenzimet për prerjen dhe transportin, këto kosto janë bërë gjithnjë e më të papërballueshme. Si rezultat, shumë banorë në këto zona po mendojnë të zëvendësojnë sobat e druve me kondicionerë. Megjithatë, kjo është e pamundur për shkak të mungesës së kompanive që ofrojnë këtë shërbim dhe për arsye kulturore, pasi kalimi i dimrit me dru zjarri është një traditë e ngulitur në këto komunitete.

Pamje nga një fushë me dru në Hotolisht

Në lidhje me situatën e fondit pyjor, një takim i organizuar nga OSBE më 22 tetor në Librazhd, u rekomandua që bashkitë të ndërhynin më aktivisht dhe të shpërndanin lëndë drusore për familjet në nevojë, në vend të tenderave që shpesh vonojnë procesin. Takimi përfshinte institucione si Agjensia Kombëtare e Pyjeve, inxhinierë pyjorë, përfaqësues të shoqatave lokale dhe ekspertë të mjedisit, të cilët diskutuan për krimet mjedisore dhe nevojën për menaxhim më të mirë të resurseve pyjore. Nga bashkitë dhe Agjensia Kombëtare e Pyjeve u pranua se punojnë me gjysëm kapaciteti si dhe sfidat e fushës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit