Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Durrës.
Një 58-vjeçar është aksidentuar për vdekje nga një kamion në aksin rrugor Kavajë-Durrës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:00, pak minuta pasi 58-vjeçari ishte përfshirë në një aksident me një automjet tjetër.
Në momentin që ai ka dalë nga makina për të parë dëmet e shkaktuara nga aksidenti, ai është përplasur nga kamioni i 52-vjeçarit me iniciale M.V. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi A. Ç. ka humbur jetën në spital, ndërsa shoferi i kamionit është arrestuar.
Njoftimi i policisë:
DVP Durrës/ Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. V., 52 vjeç, banues në Vlorë, pasi dje, rreth orës 07:00, në aksin rrugor “Kavajë-Durrës”, me kamionin që drejtonte, ka përplasur shtetasin A. Ç., 58 vjeç, banues në Berat, i cili kishte ndaluar në rrugë pasi automjeti i tij ishte përplasur me një automjet tjetër. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi A. Ç. ka humbur jetën në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.