Policia e Shkodrës s’gjen qetësi! Agjentit të krimeve i djegin 2 makina

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.10.2024, 11:01

Policia e Shkodrës është sulmuar sërish nga bandat kriminale që kanë pushtuar qytetin.

Këtë herë, persona ende të paidentifikuar kanë shkrumbuar plotësisht dy makina në lagjen "Kongresi i Përmetit."

Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se shënjestra e këtij akti ka qenë Ergys Lohja, një agjent krimesh në Komisariatin e Shkodrës.

Sipas burimeve, automjetet e djegura, një "Benz ML" dhe një "Kiron Ssanyong," ishin në pronësi të vjehrrit të Lohjes, Sabaudin Hoxha, dhe ishin parkuar pranë banesës së tij. Ngjarja ndodhi gjatë mesnatës dhe, përkundër përpjekjeve të forcave zjarrëfikëse, flakët përfshinë të dy automjetet plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por pa raportime për të lënduar.

Policia ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ky incident ishte një sulm i qëllimshëm ndaj Lohjes.

Vetë efektivët e Shkodrës janë shumë të shqetësuar nga këto akte kriminale që synojnë uniformat e shtetit. Ata i bëjnë thirrje Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtorit të Policisë, Ilir Proda të marrin masa të menjëhershme pasi jeta po iu rrezikohet për shkak të detyrës që kryejnë.

Vlen të thuhet se brenda pak muajsh, policët e Shkodrës "janë paralajmëruar" nga bandat kriminale me shpërthime me tritol dhe djegie makinash, por fatmirësisht pa dëme të rënda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit