Sipas të dhënave zyrtare statistike, Kroacia ka pagën mesatare më të lartë në rajon, ndërsa Kosova renditet në fund të listës. Paga mesatare mujore neto për punonjës në Kroaci, si vendi i vetëm anëtar i BE-së në rajon, ishte 1.324 euro në gusht, duke shënuar një rritje prej 11,8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Në Mal të Zi, paga mesatare për muajin maj 2024 ishte 832 euro, një rritje prej 4,9% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Po ashtu, në Serbi, sipas Entit Republikan të Statistikave, paga mesatare arrin në 96.649 dinarë (rreth 824 euro), me një rritje të vazhdueshme prej 14,6 për qind.
Në Shqipëri, paga mesatare për tremujorin e dytë 2024 ishte 75.114 lekë (763 euro), duke evidentuar një rritje prej 5,9% në krahasim me vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se paga neto mesatare në Shqipëri është 608 euro.
Në Bosnjë e Hercegovinë, paga mesatare mujore neto ishte 1.392 marka konvertibile (rreth 708 euro) në gusht, që përfaqëson një rënie reale prej 0,8% krahasuar me korrikun e vitit. Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare për gusht 2024 ishte 41.097 denarë (668 euro), një rritje prej 12,9% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2023.
Përfundimisht, Kosova ka pagën mesatare më të ulët në rajon, me një vlerë prej 570 euro, sipas agjencisë së statistikave. Këto statistika reflektojnë sfidat e vazhdueshme ekonomike dhe zhvillimin e tregjeve të punës në rajon.