Një aksion policor ka çuar në arrestimin në flagrancë të dy shqiptarëve dhe tre spanjollëve gjatë një grabitjeje të organizuar në një depozitë ari në lagjen Salamanca të Madridit.
Të dyshuarit, të moshës 30-45 vjeç, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditur, u kapën nga Policia Kombëtare dhe ajo Bashkiake në momentin që po përpiqeshin të hynin në ambientet e sigurisë së lartë, raportojnë mediat spanjolle.
Banorët e zonës sinjalizuan policinë pasi vërejtën një grup personash të panjohur duke hapur një vrimë në murin e ndërtesës, në pjesën e pasme të saj. Me vrimën me diametër më shumë se 60 centimetra, grupi kishte arritur të hynte në katin e sipërm të ndërtesës ku ndodhej depozita e arit dhe metaleve të tjera të çmuara.
Të dyshuarit ishin të pajisur me kapele dhe doreza për të shmangur gjurmët dhe kishin parkuar një automjet pranë vendit të ngjarjes. Në makinë u gjetën pajisje të ndryshme, si dhe targa që dyshohet të jenë të vjedhura.
Kjo tentativë grabitjeje vjen vetëm një ditë pas një tjetër vjedhjeje në një dyqan luksoz në të njëjtën zonë të Madridit, ku u vodhën çanta me vlerë rreth 100 mijë euro. Deri më tani, nuk dihet nëse ngjarjet janë të lidhura.