Pas djegies së karrigeve nga deputetët e opozitës më 30 shtator 2024, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një tender prej 13 mijë eurosh për të zëvendësuar ato që u shkatërruan. Ndërsa deputetët që morën pjesë në protestë janë gjobitur dhe kallëzuar penalisht, në mesin e këtij debati shfaqet edhe kërkesa për të blerë karrige të një cilësie të lartë dhe me një mori specifikimesh teknike që po i bëjnë qytetarët të shtrojnë pyetje për prioritetet e Kuvendit.
Karriget e reja kërkohet të jenë të ndërtuara me dru ahu të stazhonuar për mbi pesë vite, tharë paraprakisht në furrë dhe të përfshijnë sfungjer kundër zjarrit. Sipas dokumenteve të tenderit, kjo “nevojë emergjente” për 30 karrige të reja synon të sigurojë vazhdimësinë e aktiviteteve në sallën plenare. Tenderi përmban detaje të çuditshme: karriget duhet të jenë 46x48x115 cm dhe të përfshijnë një gamë materialesh rezistente, duke përfshirë edhe elemente të përforcuara për të garantuar qëndrueshmëri dhe komoditet të lartë për “baballarët e kombit”.
Kritikët e këtij vendimi nuk kanë vonuar të ngrejnë shqetësimin për shpenzimin e lartë, sidomos në një kohë kur vendi përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale. Një shpenzim kaq specifik dhe i detajuar, deri tek nyjet dhe mbështetëset kundër zjarrit, ka hapur dyshime se Kuvendi është më i shqetësuar për komoditetin e të pasmeve të deputetëve se sa për mirëqenien e qytetarëve që përfaqëson.
Sipas dokumenteve, çdo karrige do të jetë me llak transparent për t'i mbrojtur kundër gërvishtjeve dhe faktorëve të tjerë të jashtëm, ndërsa do të pajisen me taketa gome për të parandaluar rrëshqitjen në dysheme. Një dilemë e re qëndron para qytetarëve: A janë këto kërkesa një domosdoshmëri për funksionimin e Kuvendit apo një luks i panevojshëm?