Karabinierët e Piacenza-s, të koordinuar nga Prokuroria për të Mitur në Bolonja, kanë arrestuar të dashurin 15-vjeçar të Aurorës, e cila ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati, mëngjesin e 25 tetorit në rrugën 'IV Novembre', Piacenza.
Lidhur me ngjarjen ka folur edhe e ëma dhe e motra e të miturës. Ato kanë deklaruar në polici se marrëdhënia mes 14-vjeçares dhe adoleshentit ka qenë e dhunshme, e karakterizuar nga kërcënime dhe poshtërime. Për më tepër, familjarët e viktimës pretendojnë se i dashuri e dhunonte aq rëndë, sa që ajo ishte detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore tek një gjinekolog për shkak të hemorragjisë.
Sipas raporteve, autopsia e trupit të Aurorës do të kryhet këtë të hënë, më 28 tetor 2024, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Pavia. Qëllimi i kësaj procedure është të përcaktojë nëse ka shenja dhune nga i dashuri 15-vjeçar, gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili thuhet se ishte me Aurorën në momentet e fundit para se ajo të binte nga kati i shtatë.