Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin dhe të afërmit e avokatit të njohur Mariglen Koçiu, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik dy ditë më parë në autostradën Lushnje-Tiranë.
Kolegët dhe miqtë e tij kanë ndarë mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për largimin e tij të parakohshëm.
Sipas të dhënave, 56-vjeçari po kalonte në këmbë autostradën nga njëra anë në tjetrën, kur u përplas nga një makinë e drejtuar nga shtetasi Lulzim Balilaj. Përplasja fatale ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës, dhe Koçiu, për shkak të plagëve të rënda, humbi jetën në vendngjarje.
NJOFTIMI
“Sot, rreth orës 02:00, në aksin rrugor ‘Lushnje-Tiranë’, shtetasi L. B., duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. K., 56 vjeç, i cili si pasojë e përplasjes ka humbur jetën në vendngjarje. Shtetasi L. B. u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.”
Autostrada Lushnje-Tiranë është ndër pikat më problematike për aksidente në Shqipëri. Banorët e zonës dhe qytetarët shpesh zgjedhin të kalojnë korsitë në këmbë, në vend të mbikalimeve të ndërtuara për sigurinë e tyre, duke u bërë burim aksidentesh të shpeshta dhe tragjike.