Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg për ish-nënkryetarin e Bashkisë Kukës, Granit Gjana, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” në dy raste të ndara. Sipas akuzave, Gjana dyshohet se ka ndërhyrë në prokurimet publike, duke favorizuar palë të caktuara dhe duke dëmtuar konkurrencën e ndershme. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 1 vit burg, ndërsa SPAK ka kërkuar që ky dënim të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Sipas akuzës, Gjana akuzohet për mosdhënien e autorizimit në kohën e duhur një subjekti privat për tregtimin e lëndëve djegëse, duke e penguar atë të kualifikohej në dy tendera të organizuar nga Bashkia Kukës për “Blerje karburanti,” me një vlerë prej 21 milionë lekësh. Si pasojë, dyshohet se Gjana ka dëmtuar interesat e kompanisë “U.C.” Shpk, e cila ishte përjashtuar nga procesi i prokurimit për shkak të këtyre veprimeve.
Vendimi përfundimtar për dënimin e tij pritet të shpallet në seancën e ardhshme gjyqësore.