Shqiptari i arratisur nga burgu italian gjendet i vdekur në Bolivi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.10.2024, 15:54

Një 40-vjeçar shqiptar, Roland Dedja nga Durrësi, është gjetur i vdekur në Bolivi, Amerika e Jugut.

Ai kishte një histori kriminale në Shqipëri dhe Itali, duke u akuzuar për vrasje dhe duke u arratisur nga një burg në Itali një vit më parë.

Dedja u gjet i vdekur në një banesë me qira në lagjen Los Tusequis në Santa Cruz, ku jetonte së bashku me një shok, dhe raportohet se ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak.

Më 25 shtator 2023, ai arriti të arratisej nga burgu i Teramos në Abruzo me ndihmën e një droni, i cili transportoi mjetet e nevojshme për të prerë kangjellat dhe për të zbritur me litar. Në momentin e arratisjes, Dedja ishte në pritje të gjykimit për drogë dhe grabitje, pas arrestimit në Martinsicuro. Ai gjithashtu ishte akuzuar për vrasjen e shqiptarit Shpëtim Cupa në Brescia, Itali, për të cilin kishte marrë pafajësi në shkallë të parë, por çështja ishte apeluar.

Kjo nuk ishte arratisja e parë e Dedjas, pasi ai ishte arratisur edhe në vitin 2010 nga burgu i Pisas, së bashku me një tjetër shqiptar. Sipas autoriteteve boliviane, ai kishte hyrë në Bolivi në nëntor 2023 përmes Desaguadero dhe kishte marrë me qira një shtëpi në Los Tusequis. Në momentin e vdekjes, ai jetonte me një mik bolivian, i cili po ndiqej penalisht për mashtrime.

Pas vdekjes së Dedjas, shoqëruesi i tij është zhdukur dhe rasti është raportuar në Interpol, ndërsa hetimet vazhdojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit