“Terror në minierën e Munellës, dy punëtorë largohen nga puna se ngritën zërin për të drejtat e tyre”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.10.2024, 23:56

Një tjetër denoncim alarmant ka mbërritur s0t në redaksinë e JOQ Albania nga një punëtor i minierës së Munellës në Pukë, i cili shpreh situatën e rënduar të punëtorëve që po përballen me presione të vazhdueshme dhe kërcënime për shkak të përpjekjeve të tyre për të mbrojtur të drejtat në vendin e punës.

Denoncuesi thotë se sot janë larguar nga puna dy punëtorë të cilët ngritën zërin për të drejtat e tyre. Ai shprehet i shqetësuar se përfaqësuesit e sindikatës nuk kanë reaguar ndaj largimit të padrejtë të punëtorëve nga puna, pavarësisht se situata e tyre po përkeqësohet ndjeshëm, duke shtuar se edhe punëtorë të tjerë po përballen me të njëjtin presion.

"Terrori ndaj putorve te munelles vazhdon dhe po behet akoma dhe me i “eger”. Sot me date 25 u larguan nga puna dy puntor te cilet ngriten zerin per te drejtat e tyre dhe listes po i shtohen dhe shum te tjer dhe perseri sendikata nuk po reagon fare", shprehet ai.

Ky rast vjen vetëm disa javë pas një tjetër denoncimi nga një punëtor i së njëjtës minierë, i cili raportoi kushtet e papranueshme dhe të rrezikshme të punës. Ai tha se punëtorët janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të gazrave të makinerive dhe shpërthimeve të dinamitit, pa asnjë masë reale sigurie nga ana e kompanisë. Ndërkohë, sipas punëtorëve, inspektorët e sigurisë teknike fokusohen në vendosje gjoba për mungesën e kapelave dhe syzeve mbrojtëse, ndërsa kushtet themelore të sigurisë shpërfillen plotësisht nga firma dhe autoritetet përkatëse.

Për më tepër, në denoncimin e 27 shtatorit punëtori theksoi që thuajse çdo ditë ndodhin aksidente dhe lëndime në minierë, të cilat mbulohen me pagesa në dorë ndaj të dëmtuarve, për të mos u bërë publike.

Ky akt i vazhdueshëm i indiferencës nga sindikata dhe presionet nga kompania po rëndojnë situatën dhe po detyrojnë punëtorët të heshtin nga frika e humbjes së vendit të punës, gjë e cila sot u bë realitet.

Këto denoncime pasqyrojnë një situatë alarmante në minierën e Munellës, ndërkohë që qëndrimi i sindikatës dhe i autoriteteve duket inekzistent. Kërkohet një reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse për t’i dhënë fund këtij presioni të pandërprerë mbi punëtorët dhe për të siguruar kushtet e nevojshme për shëndetin dhe jetën e tyre.

JOQ Albania do të vazhdojë të ndjekë situatën e rëndë të punëtorëve të minierës së Munellës dhe të sjellë në vëmendje të publikut çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me kushtet e tyre të punës dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit