Një sulm ajror izraelit në juglindje të Libanit në orët e para të mëngjesit të së premtes, shkaktoi vdekjen e tre gazetarëve që ishin duke fjetur në një banesë, duke shënuar një nga goditjet më të rënda ndaj medias që prej fillimit të konflikteve në kufirin mes Izraelit dhe Libanit një vit më parë.
Sulmi ndodhi në orën 3 të mëngjesit në një zonë që deri më sot nuk ishte prekur nga bombardimet, pasi përdorej si bazë për gazetarët që mbulonin zhvillimet e luftës. Goditja e ktheu ndërtesën në rrënoja, me makina të mbuluara nga pluhuri dhe një antenë transmetimi të shkatërruar. Ushtria izraelite nuk bëri paralajmërim përpara sulmit, ndërsa më vonë deklaroi se po e hetonte ngjarjen.
Viktima të këtij sulmi mbetën operatori Ghassan Najjar, tekniku i transmetimit Mohammed Rida nga televizioni pan-arab Al-Mayadeen, si dhe operatori Wissam Qassim nga televizioni Al-Manar i grupit Hezbollah. Sulmi ndodhi pak ditë pasi një tjetër goditje izraelite dëmtoi një zyrë të Al-Mayadeen në jug të Bejrutit. Të dy kanalet janë të lidhura me Hezbollah dhe mbështetësin e tij kryesor, Iranin.
Sulmi i fundit është pjesë e një serie sulmesh izraelite ndaj gazetarëve që mbulojnë luftën në Gaza dhe Liban, raporton AP. Amnesty International dhe organizatat për të drejtat e njeriut deklarojnë se shënjestrimi i qëllimshëm i gazetarëve përbën një krim lufte.
“Gazetarët janë civilë dhe kanë të drejtën e mbrojtjes sipas ligjit ndërkombëtar humanitar,” tha Aya Majzoub, drejtoreshë e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.