Pas protestave të zhvilluara në Thumanë, qytetarët kanë fituar të drejtën e aksesit në autostradën Thumanë-Kashar, por shqetësimet për sigurinë e hyrje-daljeve janë ende të pranishme. Një banor i zonës, në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania pak kohë më parë, paralajmëronte se këto hyrje-dalje janë të pasigurta dhe nuk janë ndërtuar sipas projektit fillestar.
Por pikërisht ditën e djeshme një aksident vërtetoi shqetësimin e qytetarit. Ai dërgoi pranë redaksisë së Joq Albania foto nga vendngjarja, ku duket mjeti i karamboluar:
“Ja këto janë pasojat e kësaj daljeje që unë kam paralajmëruar. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima deri tani, por le ta shohin ato që ishin skeptikë dhe kritikë,” shkruan qytetari, duke shtuar se qëllimi i protestës nuk ishte të kërkonin shumë nga jeta, por të shmangnin humbjet e jetëve të pafajshme në këtë aks.
Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të garantuar sigurinë e lëvizjes dhe për të shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve në këtë segment të rëndësishëm rrugor.