Zbulohet shtëpia me afreske erotike në parkun e Pompeit

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 25.10.2024, 17:57

Në qytetin e lashtë të Pompeit është zbuluar një shtëpi e vogël e quajtur “Shtëpia e Fedrës,” me afreske erotike që pasqyrojnë prirjen e banorëve për art sensual.

Pikturat përfshijnë një skenë intime midis një satiri dhe një nimfe, si dhe një afresk që tregon Fedrën dhe njerkun e saj Hipolitin, bazuar në një histori të mitologjisë greke. Një tjetër vepër përshkruan perënditë Venusi dhe Adonisi. Shtëpia ka një atrium qendror me pishinë për grumbullimin e ujit të shiut, sipas traditës romake.

Arkeologët thonë se, ndonëse banesa është e vogël, afresket janë të një cilësie të lartë dhe të ngjashme me ato të shtëpive më të pasura. Dekorime të tilla nuk ishin tabu në Pompei dhe shiheshin në hapësira private dhe publike.

Një shembull tjetër është Shtëpia e Vettii-ve, ku në një afresk paraqitet Priapusi me një penis të madh të balancuar në një peshore. Ky imazh simbolizonte pasurinë dhe bollëkun e pronarëve, dy ish-skllevër të liruar. Në Pompei, ish-skllevërit shpesh arrinin të pasuroheshin dhe të integroheshin në shoqëri.

Gjithashtu, janë zbuluar vepra që përshkruajnë skena homoerotike. Një statujë nga Shtëpia e Byzylykut të Artë tregon një shërbëtor të ri që u ofronte zotërinjve shërbime gjatë banketeve dhe në marrëdhënie intime. Gjetjet tregojnë se artet erotike ishin të përhapura në të gjitha shtresat e shoqërisë pompeiane.

Shtëpia e Fedrës ndihmon në kuptimin e zhvillimit arkitekturor të shekullit të parë pas Krishtit. Këto zbulime shtojnë njohuri mbi jetën private dhe publikën e Pompeit. Shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit ruajti këto pasuri kulturore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit