Policia e Shtetit ka reaguar së fundmi në lidhje me disa lajme që po qarkullojnë në disa profile në rrjete sociale, për një çamçakëz që po shpërndahet tek fëmijët në Tiranë.
Sipas denoncimeve në rrjete sociale ky “çamçakëz” i përgjum fëmijët. Në mesazhin e publikuar, disa fëmijë kanë përdorur këtë substancë, e cila u shkakton një gjendje lodhjeje dhe gjumi dhe konsiderohet e dëmshme për shëndetin e tyre.
Policia thotë se ka kontaktuar me drejtuesit e shkollave dhe po kryen verifikimet.
Njoftimi:
Në lidhje me një lajm të publikuar ditën e sotme, në disa media dhe portale, në të cilin thuhet se në një shkollë në Tiranë, është evidentuar rasti i përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët, ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë menjëherë pas publikimit kanë marrë kontakte me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të të gjitha shkollave të Tiranës, dhe po ushtrojnë kontrolle për verifikimin e rastit në fjalë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast konstatimi të këtyre substancave.
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të këtij rasti të publikuar.