Drejtuesja e Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, komentoi dje raportin e World Justice Project, sipas të cilit Shqipëria renditet më poshtë se Vietnami për sa i përket ligjit dhe drejtësisë.
Deklarata e Ilda Zhulalit:
Vietnami komunist e kalon sërish Shqipërinë europiane, sipas raportit të publikuar nga World Justice Project, autoriteti më i besueshëm ndërkombëtar që mat sundimin e ligjit në 142 vende të botës.
Shqipëria renditet në vendin e 106 për kufizimin e pushtetit të qeverisë, ndërsa Vietnami është në vendin e 95, me 8 pikë më mirë. Në rangimin global, Kosova ndodhet në vendin e 59.
Karakteristikë tjetër alarmante është se Kolumbia ka më pak korrupsion se Shqipëria. Vendi ynë renditet i 107-ti për nivelin e korrupsionit, ndërsa Kolumbia është më mirë, në vendin e 100. Kosova renditet në vendin e 65.
Për lirinë e shprehjes, Shqipëria është në vendin e 92, ndërsa Kosova renditet më lart, në vendin e 60.
Në lidhje me të drejtat për protestë dhe aktivizmin politik, Shqipëria është në vendin e 102, me Serbinë në vendin e 93 dhe Kosovën në vendin e 60.
Për nivelin e zbatimit të ligjit, Shqipëria renditet e 114-ta, ndërsa Bjellorusia renditet e 108-ta. Kosova është më e mirë në këtë aspekt, në vendin e 82.
Shqipëria është gjithashtu në vendin e 128 për proceset e rregullta administrative, me Kosovën në vendin e 95.
Për respektimin e të drejtave civile, Shqipëria renditet në vendin e 101, ndërsa Vietnami në vendin e 96. Kosova është më e mirë në këtë kategori, duke u renditur e 89-ta.
Shqipëria renditet e 110-ta për mosndërhyrjen e qeverisë në vendimet gjyqësore civile, me Bangladeshin më lart në vendin e 97. Kosova është në vendin e 66.
Për nivelin e drejtësisë penale, Shqipëria është në vendin e 92, ndërsa Bjellorusia në vendin e 88, dhe Kosova renditet e 62-ta.
Më në fund, Shqipëria është në vendin e 106 për ndërhyrjen e qeverisë në drejtësinë penale, ndërsa Vietnami përsëri është më mirë, në vendin e 98, me Kosovën në vendin e 65.
Raporti i World Justice Project vërteton sërish dështimin e plotë të sistemit të drejtësisë së re dhe reformave të deformuara. Renditja e Shqipërisë nën Vietnamin komunist ilustron qartë se sundimi autoritar i Edi Ramës është shkaku kryesor i dështimeve në reformën e sistemit, duke e vendosur atë nën kontrollin e tij politik.