Të sëmurët nën presionin e sanitareve: Tualeti në poliklinikën e Elbasanit, një luks i pakapshëm

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 25.10.2024, 11:49

Sanitarët e poliklinikës së specialiteteve në Elbasan janë kritikuar për trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve, duke u mohuar atyre përdorimin e tualeteve. Kjo situatë ka sjellë shqetësim te ata që kanë nevojë urgjente për ndihmë, veçanërisht për ata me probleme shëndetësore si diabeti dhe probleme me fshikëzën e urinës.

Gazetarët e JOQ News kanë vëzhguar këtë situatë alarmante në katet e poliklinikës, e cila është promovuar nga kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë si një nga institucionet më moderne në vend, e inaguruar në fund të majit 2024. Ndërsa ambjentet janë të reja, sjellja e stafit ka lënë shumë për të dëshiruar.

Një paciente nga Gramshi, e cila kishte ardhur për një vizitë, tha: "Aman, mi zonjë se je grua vetë, nuk e mbaj dot urinën, jam paqejf. Më lër të përdor tualetin!" Pavarësisht lutjeve të saj, një nga sanitaret u shpreh e ashpër: "Tualeti është për doktoreshat dhe ne, pse e pastroj unë? Na çmendët çdo ditë katunarët e dreqit."

Një zotëri i moshuar, gjithashtu, theksoi se janë drejtuar për të përdorur tualetet e lokaleve përballë poliklinikës, ku gjithashtu kërkohet të paguash për një kafe për të pasur akses. "Jemi me diabet dhe dua të marr disa analiza në tualetin e spitalit, por as për këtë nuk lejohemi. A është spital publik apo e kanë shtëpinë e vet?" shprehet një tjetër pacient, duke u ankuar për dhimbjet e tij të vazhdueshme. Përveç këtyre problemeve, ata po përballen me mungesën e mjekut imazherist për të kryer ekografi dhe pa i njoftuar pacientët me një fletë në derë që një ditë më parë ose pa zevëndësuar mjekët kur ata mungojnë.

Në foto: Një pacient në dhimbje

Të sëmurët në këtë poliklinik po përballen me një sjellje të papranueshme dhe jo profesionale nga sanitaret, të cilët po i trajtojnë ata si një barrë, e jo si pacientë që kërkojnë ndihmë. Kjo është një situatë që ngjason me rastin e njohur të "Tires" së Tiranës, e cila gjithashtu u akuzua për kërkesë të parave për shërbime që duhet të ishin pa pagesë.

Përballë këtyre problemeve, pacientët kërkojnë urgjentisht një reformë dhe ndihmë nga autoritetet përgjegjëse për të siguruar që e drejta e përdorimit të tualeteve në një spital publik të jetë e garantuar për çdo pacient.

Gazetarët tanë vëzhguan çdo ditë korridoret, dhe tualetet mbahen të mbyllur me çelësa.

Foto nga tualet i kyçur brenda poliklinikës

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit