Një shqiptar është shpallur fajtor në Angli për drejtimin e një rrjeti të trafikimit të vajzave për shfrytëzim seksual. Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, bëhet fjalë për 43-vjeçarin Roland Cankaj.
Cankaj u arrestua më 20 prill të këtij viti dhe dje u shpall fajtor për disa akuza, pas një gjyqi që zgjati gjashtë ditë. Hetimet kishin nisur në vitin 2022, duke zbuluar një grup të organizuar kriminal të quajtur “Cankaj Brotherhood,” i cili udhëhiqej nga ai me synimin, për të trafikuar gra braziliane në Mbretërinë e Bashkuar për shfrytëzim seksual.
Nga hetimet e hollësishme u zbulua se Cankaj përdorte pasaportë false për të marrë me qira apartamente. Ai mbikëqyrej nga policia teksa çonte gratë në adresa të caktuara, priste jashtë në makinë dhe krijonte foto të tyre për të reklamuar shërbime seksuale. Policia zbuloi gjithashtu një bordello të drejtuar prej tij, e pajisur me sende të posaçme.
Nga ky hetim u identifikuan gjithsej gjashtë vajza. Një prej tyre tregoi se kishte punuar si estetiste në Brazil dhe ishte mashtruar nga Cankaj me premtime për fitime të larta. Ai e kishte sjellë në Angli, ku e dërgonte në vende të ndryshme për të kryer shërbime me burra të panjohur, ndonjëherë deri në 10-15 klientë në ditë, duke ndarë përfitimet përgjysmë.