Një qytetar nga Saranda ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, rastin e një autobusi të parkuar në trotuar prej disa orësh në rrugën "Mitat Hoxha", duke bllokuar kalimin e lirë të qytetarëve.
Si banor i zonës, ai ngre shqetësimin se autobusi ka pamundësuar kalimin e qytetarëve, ku mes të cilëve kalojnë edhe prindër me fëmijë në karroca, të moshuar e gra shtatzanë.
"Pershendetje JOQ! Meqenese në Sarandë zgjeruam trotuaret tani mund të parkojnë edhe autobusët. Fotot janë shkrepur në rrugën 'Mitat Hoxha' në Sarandë. Policia bashkiake, e rendit dhe e qarkullimit kalojnë aty dhe bëjnë sikur nuk shikojnë. Unë jam banor në atë rrugë dhe kalojmë me fëmijë me karroca, kalojnë të moshuar e gra shtatzëna. Mendoj se dikush duhet të bëhet shembull që mos ta bëjnë edhe të tjerët. E fotografova përsëri pas dy orësh dhe autobusi ishte ende aty", thotë qytetari për JOQ Albania.
Ky rast sjell në vëmendje mungesën e reagimit nga autoritetet përkatëse, duke lënë qytetarët të përballen me situata që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme dhe lëvizjen e lirë në hapësirat publike.