Dosja e Monës/ PPP-ja e fibrave optike do t’i hiqej Ulajt e do t’i jepej Shatkut

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.10.2024, 21:09

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i SPAK për çiftin, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Hetimet e "Dosjes së Monës" kanë zbuluar një përplasje për PPP-në fibrave optike midis çiftit Meta-Kryemadhi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Hetimi përfshin zbulimin e marrëveshjeve të bëra për të siguruar monopolin e rrjetit "DVB-T2" për fibrat optike në territorin e vendit.

Në vitin 2010, ish-kryeministri Sali Berisha i dha këtë monopol kompanisë "Albanian Telecommunications Union", të drejtuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Kjo kompani përfitoi përmes një tenderi, dhe marrëveshja përfshinte një afat 40-vjeçar, me vlerë rreth 40 milionë euro. Ulaj kishte lidhje të forta me qeverinë e atëhershme dhe u shpërblye me disa kontrata dhe koncesione të tjera gjatë kohës së qeverisjes së PD-së.

Pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013, qeveria e re në koalicion me LSI-në, e udhëhequr nga Ilir Meta, nisi lëvizjet për të ndryshuar situatën. Sipas hetimeve të SPAK, Meta dhe disa figura të tjera kërkuan që monopoli i fibrave optike t'i kalonte një kompanie tjetër, "UNIFI Communication INC", e cila drejtohej nga biznesmeni Adrian Shatku, një i afërm i Monika Kryemadhit.

Në hetimin e SPAK përmenden komunikimet mes Shatkut dhe disa zyrtarëve të LSI-së, përfshirë ish-ministrin e Transportit, Edmond Haxhinasto, dhe figura të tjera, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar monopolin e rrjetit të fibrave optike. Dokumentet dhe provat përfshijnë shkëmbime emailesh dhe mesazhe telefonike, të cilat tregojnë për një rrjet të ndërlikuar të bashkëpunimit midis këtyre aktorëve.

Më tej, në dokumentat e hetimit, përmendet edhe financimi i disa trajtimeve dhe shpenzimeve të tjera personale për çiftin Meta-Kryemadhi nga ana e Shatkut, si pjesë e marrëveshjeve për sigurimin e këtij monopoli.

Nga ana tjetër, Bashkim Ulaj kërkoi të mbronte monopolin e tij, duke ndërtuar një marrëdhënie të re me qeverinë e Edi Ramës, pas rënies së pushtetit të PD-së. Kjo situatë ka çuar në përplasje të forta mes palëve të përfshira, të cilat tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit